Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka takuar sot juristët eminent nga Këshilli i Evropës të cilët po qëndrojnë në Kosovë, Dr. Thomas Markert dhe Dr. Sia Spiliopoulou Åkermark. Ky takim është bërë të ditur nga Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Në takim me juristët eminent, Dr. Thomas Markert dhe Dr. Sia Spiliopoulou Åkermark nga Këshilli i Evropës, të cilët janë duke qëndruar në vendin tonë për të vlerësuar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës,” ka thënë Tahiri.Tahiri gjithashtu ka theksuar se Kosova e ka vendin e saj në Këshillin e Evropës dhe qytetarët e saj meritojnë të kenë qasje në instrumentet e këtij institucioni.
“Në takim kam theksuar se Kosova, në aspektin legjislativ, ka një sistem të avancuar për promovimin e vlerave të të drejtave të njeriut, demokratizimit dhe sundimit të ligjit. Rruga jonë në ndërtimin e shtetit është e ndërtuar në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare. Në fund të bisedës, kam konkluduar se Kosova e ka vendin në këtë institucion dhe qytetarët e saj duhet të kenë qasje në instrumentet e Këshillit të Evropës,” është shprehur Tahiri.