Sulm me thikë në Francë: Një i vdekur dhe tre policë të plagosur, dyshohet për terrorizëm
Një person ka humbur jetën dhe tre policë janë plagosur në një sulm me thikë në qytetin Mulhouse, në lindje të Francës. Një burrë 37-vjeçar algjerian është arrestuar në vendngjarje, ndërsa prokuroria ka hapur një hetim terroristik pasi i dyshuari raportohet se ka thirrur “Allahu Akbar” (Perëndia është i madh).
Sipas informacioneve, i dyshuari ka plagosur rëndë dy policë, njërin në qafë dhe tjetrin në gjoks. Një burrë 69-vjeçar portugez, i cili u përpoq të ndërhyjë, u ther dhe u vra.
Prokuroria lokale ka thënë se i dyshuari ishte nën urdhër deportimi pasi qe në listën e monitorimit për terrorizëm. Presidenti Emmanuel Macron ka deklaruar se “nuk ka dyshim se ky ishte një sulm terrorist islamist”.
Pas shprehjes së ngushëllimeve për familjen e viktimës, Macron tha: “Dua të përsëris vendosmërinë e qeverisë dhe time për të vazhduar punën për të çrrënjosur terrorizmin në tokën tonë.”
Incidenti ndodhi gjatë një demonstrate në mbështetje të Republikës Demokratike të Kongos, ku policët ishin në patrullim.
“Tmerri ka pushtuar qytetin tonë,” shkroi kryetarja e Mulhouse, Michele Lutz, në Facebook.
Kryeministri francez François Bayrou shkroi në X (ish-Twitter) se “fanatizmi ka goditur përsëri dhe ne jemi në zi”.
“Mendimet e mia shkojnë natyrshëm tek viktimat dhe familjet e tyre, me shpresën e fortë që të plagosurit të shërohen,” tha ai.
Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau pritet të vizitojë vendngjarjen në mbrëmjen e shtunës.