Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona anëtarë të një grupi kriminal që shisnin armë zjarri në Tiranë, Thumanë dhe Fushë-Krujë. Në pranga kanë rënë Fatjon Kodra 18 vjeç dhe Elton Kaci 49 vjeç.
Gjithashtu në kërkim janë shpallur edhe dy të tjerë, Florjan Aliu dhe Enea Zira nga 28 vjeç.
Njoftimi:
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera me metoda proaktive, në kuadër të një procedimi penal të nisur për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Heliks”, si rezultat i të cilit u ndaluan shtetasit:
F. K., 18 vjeç dhe E. K., 49 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit F. A., 28 vjeç dhe E. Z., 28 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, të organizuar si grup, shitnin armë zjarri në Tiranë, në Fushë Krujë dhe në Thumanë.
Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Gjithashtu, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme