Gjykata në Prishtinë shqyrton kërkesën për intervistimin e Kurtit – Tri opsionet ligjore sipas ish-kryetarit të Supremes
Kryeministri Albin Kurti është ftuar tri herë nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore, por ai ka refuzuar të paraqitet. Kjo ka bërë që Prokuroria t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar urdhër që Kurti të dëshmojë.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka shpjeguar për Gazetën Express tri alternativat ligjore që ka Gjykata për të detyruar Kurtin të dëshmojë:
- Detyrimi me forcë për t’u paraqitur
- Vendosja e një gjobe
- Caktimi i paraburgimit për maksimum një muaj, nëse ai paraqitet, por refuzon të flasë.
“Nuk besoj që kryeministri nuk do të paraqitet, pasi një veprim i tillë do të dëmtonte imazhin e Kosovës dhe raportet me faktorin ndërkombëtar,” tha Hasani.
Ndërkohë, Ehat Miftaraj nga IKD sqaroi se në rast të refuzimit të mëtejshëm, Kurti mund të gjobitet deri në 250 euro për çdo mungesë, dhe nëse vazhdon të refuzojë, mund të burgoset.
Qëndrimi i Kurtit ndaj thirrjes së Prokurorisë
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar më herët se Kurti ka qenë i gatshëm të pranojë prokurorët në zyrën e tij për intervistim, një gjë që është kritikuar nga ekspertët ligjorë.
Rasti i rezervave shtetërore
Në vitin 2023 u arrestuan disa persona, përfshirë zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, lidhur me mungesën e një sasie vaji të blerë në Poloni dhe gruri nga Turqia. Ministrja Rozeta Hajdari, e cila udhëheq këtë dikaster, është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit nga Prokuroria, ndërsa Kurti ka mohuar çdo keqpërdorim në këtë rast.