Ardian Gjini: AAK nuk synon koalicion me LVV, ndërsa Limaj hap mundësinë për dialog me Kurtin
Një nga figurat kryesore të Aleancës për Ardian Gjini ka folur për Gazetën Express, duke sqaruar qëndrimin e AAK-së ndaj mundësisë së një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje. Gjini ka theksuar se AAK nuk e konsideron si opsion ndonjë bashkëpunim me LVV dhe se deklaratat e Fatmir Limaj nuk përfaqësojnë pozicionin zyrtar të partisë.
“Nuk është fare qëndrim i Aleancës çfarëdo koalicioni me LVV,” ka deklaruar Gjini.
Nga ana tjetër, Fatmir Limaj, kreu i NISMA-s dhe partner i koalicionit, ka treguar një qëndrim më fleksibël. Në një intervistë për RTV Dukagjini, Limaj ka refuzuar të vendosë “vija të kuqe” ndaj ndonjë partie dhe ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar me çdo kandidat për kryeministër, përfshirë edhe Albin Kurtin, nëse bëhet fjalë për çështje kombëtare.
“Unë jam i gatshëm të ndihmoj kryeministrin tim që i shërben vendit. Jam i gatshëm të ndihmoj kryeministrin, nëse kërkon ndihmën time në shërbim të vendit. Gjithmonë (edhe nëse është Albin Kurti). Për këto tema kombëtare, që jam duke folur, gjithë. Gjithë kam qenë,” ka thënë Limaj.
Ai gjithashtu ka bërë një thirrje për bashkëpunim mes partive politike për të shmangur një krizë qeveritare pas zgjedhjeve, duke theksuar rëndësinë e dialogut për të arritur qëndrueshmëri politike.