Disa nga deputetët e legjislaturës së kaluar nuk do të jenë më pjesë e Kuvendit të Kosovës, sipas numërimit të deritanishëm të votave. Ndër ta janë Xhavit Haliti, Ardian Gola, Arben Gashi, Besnik Tahiri, Agon Batusha, Ardian Kastrati dhe Pal Lekaj.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, 22 kandidatë nuk arritën të sigurojnë votat e nevojshme për një mandat të ri. Në mesin e tyre janë: Agon Batusha, Alban Bajrami, Ardian Gola, Arta Bajralia, Besim Muzaqi, Driton Hyseni, Ekrem Mustafa, Enver Dugolli, Enver Haliti, Fatmire Kollçaku, Fitim Haziri, Gani Krasniqi, Gramos Agusholli, Hydajet Hyseni, Jetmire Vrenezi, Milazim Salijaj, Mirlinda Tishukaj, Mirsad Shkreta, Nasuf Bejta, Nijazi Isaku, Shqipe Isufi dhe Vendenis Lahu.
Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), shtatë deputetë të legjislaturës së kaluar rrezikojnë të mbesin jashtë Kuvendit, bazuar në rezultatet aktuale. Për herë të parë që nga themelimi i Kuvendit, Xhavit Haliti nuk do të jetë pjesë e tij. Jashtë mbeten edhe Ardian Kastrati, Eliza Hoxha, Florete Zjenullahu, Hajdar Beqa, Hisen Berisha dhe Isak Shabani.
PDK-ja ka aktualisht pesë gra të zgjedhura, por sipas kuotës ligjore duhet të ketë tetë deputete. Kjo mund të sjellë ndryshime në përbërje, duke rrezikuar mandatet e Petrit Hajdarit, Bekim Haxhiut dhe Arben Mustafës, të cilët mund të zëvendësohen nga Eliza Hoxha, Arbnore Salihu dhe Kosovare Murseli.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të vazhdojë me nëntë deputetë nga legjislatura e kaluar, gjashtë emra të rinj dhe pesë deputetë me përvojë nga legjislaturat e mëhershme. Në Kuvend kanë hyrë edhe tre kryetarë komunash: Imri Ahmeti, Gazmend Muhaxheri dhe Sokol Haliti.
Nga LDK, disa emra të njohur nuk arritën të sigurojnë mandate, përfshirë ish-shefin e grupit parlamentar Arben Gashi, si dhe Drita Millakun, Driton Selmanajn, Rrezarta Krasniqin, Valentina Bunjakun dhe Vlora Dumoshin. Me kuotën gjinore, pritet të shtohet edhe një deputete.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), jashtë Kuvendit mbetet shefi i grupit parlamentar, Besnik Tahiri. Po ashtu, Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj dhe Albana Bytyqi nuk kanë arritur të sigurojnë mandate për legjislaturën e re.