Një grup prej 12 personash (dhjetë nga ta të mitur) në orët e mbrëmjes së 17.02.2025 kishin defiluar me vetura, duke valëvitur flamuj kombëtarë shqiptarë, me muzikë e brohoritje, nga Lagjja e Boshnjakëve drejt hapësirave të sheshit ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.
Pamje të këtij parakalimi u publikuan në rrjete sociale, ndërsa në një moment njëri nga ta dëgjohet teksa thotë : “Për çdo çe*** e kemi nga një plumb”.
Ndonëse rasti u trajtua nga Policia dhe Prokuroria, duket se kjo pjesë nuk është marrë parasysh fare, pasi që deri më tani nga informacionet zyrtare që posedon KALLXO.com në këtë rast që u regjistrua nuk pati ndonjë indikacion se mund të përbëjnë ndonjë vepër penale përveç kundërvajtjes që është shqiptuar.
Në një intervistë për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka shpjeguar se si ndodhi ngjarja.
Ai thotë se veturat dyshohet se janë futur brenda Mitrovicës së Veriut pas orës 19:00 më 17.02.2025, ndërsa nuk janë ndaluar fillimisht pasi nuk janë hasur nga Policia të cilët kohë pas kohe qëndrojnë në një pikë statike në Lagjen e Boshnjakëve.
“Ka mundësi që policët kanë qenë në lëvizje dhe prandaj nuk janë parë dhe nuk janë ndaluar” – tha Elshani.