Përderisa ende s’kemi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve që u mbajtën dy javë me parë me 9 shkurt, tema e krijimit të qeverisë së re tashmë është hapur.
Krijimi i kësaj qeverie po shihet nga shumëkush si çështje problematike për dy arsye; Njëra është numri i domosdoshëm për ta bërë atë, e që për momentin kërkohet koalicioni, pasi që asnjëra parti si e vetme s’e ka shumicën që kërkohet; dhe arsyeja tjetër është çështja e postit të Presidentit, temë e cila duhet të zgjidhet vitin tjetër, atëherë edhe kur përfundon mandati i presidentes aktuale Vjosa Osmanit.
Lidhur me këtë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se për t’i ikur një procesi të ri zgjedhor, është e nevojshme që tani të adresohet edhe çështja e presidentit.
Ai ka deklaruar se partitë s’duhet të sillen me papërgjegjshmëri.
“Unë besoj që subjektet politike, nuk duhet të sillen me papërgjegjshmëri sikurse nuk e dinë që do të kemi menjëherë çështjen e presidentit. Besoj që cilido koalicion që do të arrihet për të qeverisur me vendin, duhet medoemos të adresojë edhe çështjen e presidentit në mënyrë që t’i ikim një cikli të ri zgjedhor të panevojshëm”, ka thënë Cakolli në RTK.