Arrestohet një Zyrtar i Parkut Nacional të Sharrit për Mbajtje të Armës së Zjarrit në Automjetin Zyrtar**

Policia e Kosovës arrestoi një zyrtar të Parkut Nacional të Sharrit në orët e vona të së premtes, pasi në automjetin zyrtar të tij u gjet një armë zjarri.**
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmoi për Klankosova.tv se arrestimi u krye rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme.**
Bytyqi shpjegoi se: “Në Prizren, më 23.08.2024, rreth orës 22:00, policia, për shkak të disa dyshimeve, kanë kontrolluar një zyrtar të Parkut Nacional i cili po përdorte një automjet zyrtar me tabela zyrtare. Gjatë kontrollit, iu gjet një armë zjarri, një pistoletë Glock me dhjetë fishekë.”**
Zëdhënësi gjithashtu bëri të ditur se, me urdhër të prokurorit, u kontrollua edhe shtëpia e të dyshuarit në Prizren, ku u gjet një pushkë.**
“Të dyja armët ishin pa leje adekuate nga organet përgjegjëse,” theksoi Bytyqi.**
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari u ndalua për 48 orë dhe ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, posedim apo kontroll i paautorizuar i armës”.**

