Karabinierët italianë dhe policia kosovare mbajnë nën kontroll zonën; raporti i fundit konfirmon stabilitetin e urës
Numri i shtuar i ushtarëve dhe makinerive të KFOR-it që ishte vendosur në Ura e Ibrit në mëngjesin e sotëm tashmë është larguar. Në këtë moment, aty ndodhen vetëm karabinierët italianë me katër vetura, ndryshe nga zakonisht kur janë të pranishëm me dy vetura.
Po ashtu, njësi të Policisë së Kosovës janë duke kryer patrullimin e zakonshëm mbi urë, njofton Klankosova.tv. Në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë janë vendosur gjithashtu vetura të EULEX-it. Punimet në urë dhe në pjesët rrethuese të saj vazhdojnë edhe sot.
Në një zhvillim tjetër, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, publikoi të martën raportin e vlerësimit të Urës së Ibrit. Sipas këtij raporti, ura është vlerësuar si stabile, e qëndrueshme dhe funksionale. Konkluzionet preliminare tregojnë se gjatë testimit me ngarkesë testuese, struktura e urës ka reaguar si një strukturë elastike me ulje-deformime të kufizuara dhe të qëndrueshme, pa plasaritje.


