“Nuk e kam problem”, tha kryeministri Albin Kurti duke komentuar mbi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme këtë vit. Ndërkohë, LDK-ja e Lumir Abdixhikut i zhvilloi “diskutimet finale” për listën e kandidatëve për deputetë me të cilën do të garojë. “Këmbanat tona po bien” dhe “Lidhja është gati”, tha kryetari i partisë më të vjetër në vend.
Kryeministri Albin Kurti thotë se nuk e ka mendjen te zgjedhjet, por se nuk e ka problem që ato të mbahen para kohe.
Partitë e kanë shtuar angazhimin, diskursi edhe i qeveritarëve është bërë më elektoral këtë vit që mund të jetë viti i zgjedhjeve të reja.
“Prej javës së dytë, ndoshta jo të parë që jam kryeministër, është folur për zgjedhje të parakohshme. Prej javës së dytë, se ndoshta javën e parë ka qenë pranim-dorëzimi i detyrës e kështu me radhë. Unë këtë javë i bëj tre vjet që jam në detyrë. Ndoshta do të ketë zgjedhje të parakohshme, unë nuk e di, por…”, tha Kurti të mërkurën në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
