AGK shënon përvjetorin me një event për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shënoi sot 33-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës me një pritje të veçantë për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë. Kjo pritje u organizua në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”, i cili ka për qëllim të mbështesë gazetarët ukrainas që kanë ikur nga lufta dhe u jep mundësinë të vazhdojnë punën e tyre në Kosovë.

Sipas njoftimit të AGK-së, në këtë event ishin të pranishëm ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, zëdhënësja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Lindsay Jagla, si dhe bashkëpunëtorët e AGK-së, të cilët ndihmojnë në zbatimin e këtij programi.
Që nga prilli i vitit 2022, AGK-ja ka zbatuar këtë program, duke u mundësuar gazetarëve ukrainas të raportojnë në baza ditore nga Kosova për zhvillimet në Kosovë dhe Ukrainë, vendin e tyre të lindjes. Programi “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë” është iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF) dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe iniciativa Hannah Arendt e Qeverisë së Gjermanisë.

